Udhëzuesi i të Drejtave të Njeriut
Tё ketё ndihmёn falas tё njё pёrkthyesi nё qoftё se nuk kupton ose nuk flet gjuhёn qё pёrdoret nё gjyq
të ndihmohet falas nga një përkthyes, në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.
Parimi i ligjshmërisë 1. Veprat penale, sanksionet penale dhe masat e trajtimit të detyrueshëm përcaktohen vetëm me ligj. 2. Askujt nuk mund t’i shqiptohet sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm për një vepër nëse para kryerjes së saj nuk është përcaktuar me ligj si vepër penale dhe nuk është paraparë sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm për atë vepër. 3.Përkufizimi i një vepre penale duhet të përcaktohet në mënyrë të saktë dhe nuk lejohet interpretimi sipas analogjisë. Në rast paqartësie, përkufizimi i veprës penale interpretohet në favor të personit ndaj të cilit zhvillohet procedura penale. |
Zbatimi i ligjit më të favorshëm
1.Ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
2.Në rast se ligji në fuqi ndryshon para shqiptimit të vendimit të formës së prerë, atëherë ndaj kryesit zbatohet ligji që është më i favorshëm.
3. Nëse ligji i ri nuk e inkriminon veprën, por kryesi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë në pajtim me ligjin e mëparshëm, sanksioni penal nuk fillon të ekzekutohet ose ndërpritet në rast se ka filluar.
4. Një ligj i cili shprehimisht ka qenë në fuqi vetëm për një kohë të caktuar, zbatohet për ato vepra penale që janë kryer gjatë kohës kur ai ligj ka qenë në fuqi edhe në rastin kur nuk është më në fuqi, përveç nëse vetë ligji shprehimisht përcakton ndryshe.
Gjuhët dhe shkrimi
1. Gjuha dhe shkrimet që mund të përdoren në procedurë penale janë gjuha shqipe dhe serbe, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.
2. Personi që merr pjesë në procedurë penale i cili nuk e flet ose nuk e kupton gjuhën në të cilën zhvillohet procedura, ka të drejtë të flasë gjuhën e vet dhe të jetë i informuar nëpërmjet përkthimit pa pagesë me faktet, provat dhe procedurën. Përkthimi duhet të jetë i cilësisë së mjaftueshme për të garantuar paanshmërinë e procedurës dhe sigurohet përmes një përkthyesi të pavarur.
3. I pandehuri, i cili nuk e flet ose nuk e kupton gjuhën e procedurës, ka të drejtë në përkthim të cilësisë së mjaftueshme në mënyrë që të garantohet paanshmëria e procedurës, veçanërisht për të siguruar që ai ka njohuri të rastit kundër tij dhe është në gjendje të ushtrojë të drejtën e tij të mbrojtjes.
4. I pandehuri, i cili nuk e flet ose nuk e kupton gjuhën e procedurës, ka të drejtën e përkthimit për komunikim me mbrojtësin e tij, nëse ai nuk e flet ose nuk e kupton gjuhën e të pandehurit:
4.1. kur i pandehuri merret në pyetje; 4.2. gjatë cilësdo seance dëgjimore; ose 4.3. kur paraqet parashtresë me shkrim ose ankesë. 5. Personi nga paragrafi 2, 3 dhe 4 i këtij neni njoftohet për të drejtën e tij në përkthim. Ai mund të heqë dorë nga kjo e drejtë nëse e di gjuhën në të cilën zhvillohet procedura gjyqësore. Nëse personi është i pandehur, heqja dorë e tillë bëhet pasi ai të ketë marrë këshilla ligjore paraprake ose nëse ka njohuri të plota për pasojat e heqjes dorë të tillë dhe që heqja dorë është e qartë dhe e dhënë vullnetarisht. Njoftimi për këtë të drejtë dhe deklarata e pjesëmarrësit ose të pandehurit shënohet në procesverbal.
6. Personi nga paragrafi 2, 3 dhe 4 i këtij neni ka të drejtë të kërkojë përkthim të ri nga gjyqtari kompetent ose organi tjetër i cili zhvillon procedurën penale, nëse cilësia e përkthimit nuk është e mjaftueshme për të mbrojtur paanshmërinë e procedurës.
7. Deklaratat, ankesat dhe parashtresat tjera mund të dorëzohen në gjykatë në gjuhën shqipe ose serbe, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.
8. Të pandehurit dhe personit i cili është në vuajtje të dënimit i cili nuk e kupton gjuhën e procedurës duhet siguruar, brenda një periudhe të arsyeshme kohore, përkthimin e thirrjeve gjyqësore, vendimeve dhe parashtresave, në tërësi ose pjesërisht, varësisht nga fakti nëse ato janë relevante për qëllimin e mundësimit të të pandehurit ose personit që është në vuajtje të dënimit të ketë njohuri të rastit kundër tij, në gjuhën të cilën ai e përdor në procedurë, ose dokumenteve të tjera të cilat janë thelbësore për të siguruar që ai të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtën e tij të mbrojtjes dhe të sigurohet paanshmëria e procedurave. Dokumentet thelbësore përfshijnë çdo vendim i cili e privon personin nga liria, çdo aktakuzë dhe çdo aktgjykim.
9. Në vend të përkthimit me shkrim, mund të bëhet përkthimi ose përmbledhja gojarisht e dokumenteve thelbësore të parapara në paragrafin 8 të këtij neni, nëse përkthimi ose përmbledhja e tillë nuk paragjykon paanshmërinë e procedurës.
10. I pandehuri ka të drejtë të ushtrojë ankesë kundër vendimit me të cilin i mohohet përkthimi.
11. Shtetasi i huaj që ndodhet në paraburgim mund t’i dorëzojë gjykatës parashtresat në gjuhën që e kupton para, gjatë dhe pas shqyrtimit gjyqësor.
Kamasinski kundër Austrisë (1998) 9783/82
Parashtruesi paraqiti këtë padi duke pretenduar shkeljet e neneve 6, 13 dhe 14 gjatë procedurës së tij penale që rezultoi për shkak se ai nuk mund të fliste gjermanisht. Aplikanti pretendoi se autoritetet në shumë procedura penale nuk arritën të kujdeseshin për pamundësinë e tij për të folur gjermanisht. Në mënyrë të veçantë, ai u ankua për ndihmën joadekuate ligjore dhe interpretuese që ai mori gjatë të gjitha fazave të procedimit penal; domethënë: gjyqin e tij të parë, si dhe ankesat e mëvonshme
Gjykata u shpreh se autoritetet austriake shkelën nenin 6 (1), sepse hetimi faktik i kryer nga gjykatat austriake ishte në mënyrë të njëanshme dhe kërkuesi nuk ishte në gjendje të mbronte interesat e tij.
LUEDICKE, BELKACEM AND KOÇ v. GERMANY
GJEDNJ theksoi se e konstruktuar në kontekstin e të drejtës për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 6, paragrafi 3 (e) (neni 6-3-e) nënkupton që një i akuzuar i cili nuk mund ta kuptojë ose të flasë gjuhën e përdorur në gjykatë ka të drejtën e lirisë për të patur ndihmën pa pagesë të një përkthyesi për përkthimin ose interpretimin e të gjitha dokumenteve ose deklaratave në procedimet e ngritura kundër tij të cilat janë të nevojshme për të që të kuptohet për të përfituar nga një gjykim i drejtë.
Baytar v. Turkey, no. 45440/04, § 50, 14 October 2014 Në këtë rast GJEDNJ ka vendosur se një i akuzuar ka të drejtë të ndihmohet falas nga një përkthyes gjatë procedurave hetimore penale, nëse pengesat gjuhësore parandalojnë të akuzuarin të ketë një kuptim të plotë të pasojave të heqjes dorë nga të drejtat e tij ose saj. Kërkuesja, znj. Baytar u mor në pyetje në paraburgim policor pa ndihmën e një përkthyesi dhe argumentoi se kjo shkelte të drejtën e saj për një seancë të drejtë dhe ndihmën e një përkthyesi sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata vendosi që kur të arrestuarit nuk kuptojnë gjuhën e procedurës, shtetet kanë detyrimin të japin ndihmë falas për përkthim në fillim të procedurës së hetimit.