Udhëzuesi i të Drejtave të Njeriut
Autonomia e bartësve të arsimit të lartë
1. Bartësit e licencuar të arsimit të lartë kanë autonominë dhe lirinë akademike.
2. Bartësit e licencuar te arsimit të lartë gëzojnë të drejtat nga dispozitat e këtij ligji për të:
2.1. zgjedhur autoritetet drejtuese menaxhuese dhe për të përcaktuar mandatet e tyre;
2.2. organizuar strukturat dhe aktivitetet përmes rregullave të tyre, të cilat duhet të jenë në përputhje me këtë ligj dhe me dokumentet plotësuese të nxjerra në bazë të tij, me ligjet e tjera të zbatueshme dhe me statutet e tyre;
2.3. zgjedhur mësimdhënësit dhe personelin tjetër, për të përcaktuar kushte lidhur me pranimin e studentëve, metodat e mësimdhënies dhe vlerësimin e studentëve, të miratuara nga AKA-ja;
2.4. hartuar dhe zbatuar në mënyrë të pavarur kurrikulet dhe projektet për kërkime shkencore, në këshillim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë; dhe,
2.5. dhënë tituj profesorëve dhe personelit tjetër, në pajtueshmëri me këtë ligj, me ligjin në fuqi për punësim si dhe skemën e aprovuar nga AKA-ja. Këto kritere përcaktohen në statutin e bartësit.
3. Statutet e bartësve të arsimit të lartë përfshijnë dispozita që garantojnë lirinë akademike të personelit mësimdhënës dhe të studentëve, siç përshkruhet tutje në këtë ligj.
4. Mjediset e bartësve të licencuar të arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta.
5. Bartësi publik i arsimit të lartë lirohet nga të gjitha format e tatimeve për veprimtaritë e tij mësimore dhe kërkimore shkencore, të cilat financohen nga burime publike apo të dhuruara, përveç rasteve që lidhen me veprimtari fitimprurëse.
Liria akademike
1. Në statutin e vet apo në dokumentin e barasvlershëm themelues, çdo bartës i arsimit të lartë garanton se stafi akademik gëzon të drejtën brenda ligjit e për të paraqitur ide të reja dhe opinione të debatueshme pa rrezikuar humbjen e vendit të punës apo privilegjet që mund të gëzojnë nga bartësi.
2. E drejta e shprehjes së lirë për stafin akademik të bartësve të arsimit të lartë mund të kufizohet vetëm me ligj, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
3. Personeli akademik i bartësve të licencuar dhe të akredituar gëzon lirinë për të publikuar rezultatet e kërkimeve të tij, por duke iu nënshtruar rregullave të bartësit lidhur me shfrytëzimin e të drejtave të pronës intelektuale në dobi të bartësit dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
4. Statuti i çdo bartësi të arsimit të lartë dhe struktura e çdo bartësi privat të arsimit të lartë, si kusht për akreditim, duhet të përmbajnë dispozita që:
4.1. i garantojnë personelit lirinë e organizimit e të grumbullimit.
4.2. mbrojnë personelin nga çdo lloj diskriminimi.
5. Personeli akademik dhe personeli tjetër i bartësit të arsimit të lartë gëzon të drejtën për të kundërshtuar një vendim apo veprim të institucionit të arsimit të lartë dhe për t’ia drejtuar atë ankesë fillimisht Ministrisë dhe pastaj një gjykate kompetente.
Trupat punues dhe bashkëpunimi
1. Me qëllim të avancimit të punës kërkimore-shkencore dhe artistike me interes të përgjithshëm për shkencën dhe për artin në Kosovë, Akademia themelon seksione, institute hulumtuese dhe qendra studimore.
2. Për realizimin e funksioneve të saj Akademia bashkëpunon me institucione shkencore dhe akademike të arsimit të lartë, institute shkencore, entitete ekonomike, agjenci shtetërore si dhe me punëtorë e hulumtues shkencorë nga fushat e ndryshme të shkencës dhe të artit.
Parimet dhe objektivat
1. Parimet udhëzuese në përkrahjen e shkencës dhe hulumtimeve për organizimin e institucioneve shkencore janë:
1.1. liria e ushtrimit të veprimtarisë shkencore dhe e mësimdhënies akademike;
1.2. rëndësia e shkencës dhe hulumtimeve, teknologjisë dhe inovacionit për shoqërinë dhe ekonominë;
1.3. bashkëpunimi kërkimor në mes të universiteteve dhe institucioneve jo-universitare;
1.4. bashkëpunimi në mes të shtetit dhe institucioneve tjera, i rregulluar me ligj;
1.5. bashkëpunimi kërkimor ndërkombëtar, në veçanti ai evropian;
1.6. sigurimi i mjeteve adekuate për shkencë dhe hulumtim, teknologji dhe inovacion;
1.7. trajtim i barabartë i meshkujve dhe femrave;
1.8. përdorim sistematik i vlerësimit dhe monitorimit të programeve, instrumenteve, iniciativave dhe masave hulumtuese dhe të zhvillimit teknologjik;
1.9. punës publike me interes shtetëror;
1.10. etikës dhe të përgjegjësisë së punëtorit shkencor dhe të hulumtuesit për rezultatin e punës së tij;
1.11. kujdesit për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe trashëgimisë kulturore.
Bartësit e veprimtarisë kërkimore-shkencore
1. Veprimtarinë kërkimore-shkencore e ushtrojnë personat juridik dhe fizikë që i plotësojnë kushtet sipas këtij ligji.
2. Punët kërkimore-shkencore i ushtrojnë punëtorët shkencorë dhe hulumtuesit që kanë tituj përkatës shkencorë dhe hulumtues apo arsimim relevant akademik.
Rasti u inicua me një kërkesë (nr. 17089/03) kundër Republikës së Turqisë të paraqitur në Gjykatë në bazë të nenit 34 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore ("Konventa") nga një shtetas turk, MrVehbi Doğan Sorguç [1] ("kërkuesi"), më 6 maj 2003.
Ankuesi pretendoi, veçanërisht, se e drejta e tij për lirinë e shprehjes sipas nenit 10 të Konventës ishte shkelur pasi gjykatat vendase kishin cilësuar kritikën e tij ndaj sistemit akademik si shpifje. Ai pohoi gjithashtu se vendimi i gjykatave vendase kishte shkelur të drejtat e tij sipas nenit 6 të Konventës dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 1.
Gjykata vendosi që ka pasur një shkelje të nenit 10 të Konventës dhe urdhëroi Shtetin e Paditur të paguaj kompensim.