Udhëzuesi i të Drejtave të Njeriut
Neni 40
Parimi i arsimit gjithëpërfshirës
1. Qëllimi i qartë i këtij Ligji është që parimi i arsimit gjithëpërfshirës të zbatohet në Republikën e Kosovës si praktika më e mirë në përputhje me normat ndërkombëtare, si parashihen në Konventën e UNESCO-s për të Drejtat e Fëmijëve (1989), në Deklaratën e Salamankës (1994), Konventën e OKBsë për të Drejta të Personave me Aftësi të Kufizuara (2007) dhe në konventat apo rekomandimet e tjera përkatëse ndërkombëtare.
2. Parimi i arsimit gjithëpërfshirës nënkupton se:
2.1. institucionet arsimore dhe aftësuese duhet të akomodojnë të gjithë fëmijët, pa dallim të kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore apo të tjera dhe duhet të promovojë integrimin dhe kontaktin mes fëmijëve;
2.2. mbështetja përkatëse duhet të ofrohet bazuar në nevojat intelektuale të nxënësve; dhe
2.3. ambientet e posaçme arsimore apo shkollat speciale arsyetohen vetëm pasi që nga vlerësimi i ekspertit del se nuk është praktike të regjistrohet ndonjë fëmijë në shkollën e rregullt publike apo në institucionin e aftësimit.
3. Komunat marrin masa për të mbështetur përfshirjen e fëmijëve në shkolla të rregullta të komunës, përfshirë edhe themelimin e dhomave burimore dhe klasave të përshtatura për nxënësit me aftësi të kufizuara fizike, përfshirë ato ndijore.
4. Sipas vlerësimeve individuale profesionale, komunat sigurojnë transport falas, të sigurt dhe të përshtatshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara apo me vështirësi në mësim që ndjekin mësimet në shkollë komunale.
Qendrat burimore, shkollat speciale dhe njësitë që ofrojnë arsimim të veçantë
1. Ministria mund të themelojë dhe mirëmbajë qendra të burimeve, shkolla speciale si dhe njësi të tjera që ofrojnë arsim special për fëmijët me aftësi të kufizuara të rënda apo të shumëfishta apo me vështirësi në mësimnxënie, të cilët vlerësohet se nuk janë në gjendje të arsimohen në shkolla komunale apo në institucione publike për aftësim.
2. Qendrat e burimeve dhe njësitë e tjera, të themeluara sipas këtij neni, gjithashtu ofrojnë ndihmesë,
në kuadër të resurseve që i kanë në dispozicion, në bazë të kërkesave të institucioneve arsimore dhe aftësuese që arsimojnë nxënësit me vështirësi në mësim.
3. Mësimdhënësit dhe personeli tjetër profesional i punësuar në shkolla, qendra të burimeve dhe njësi të tjera të themeluara sipas këtij neni licencohen sipas dispozitave të këtij ligji.
4. Ministria siguron transport falas, të sigurt dhe të përshtatshëm apo aranzhon kujdes rezidencial të përshtatshëm, sipas vlerësimit profesional individual, për fëmijët që vijojnë shkollat speciale, qendrat e burimeve dhe për njësitë e tjera të themeluara sipas kësaj pjese.
Gjuha e shenjave dhe sistemi Brejll (Braille)
1. Nxënësve dhe fëmijëve të cilët përdorin gjuhën e shenjave si gjuhë të tyre të parë, duhet t’u ofrohet mësimdhënie për përdorimin e gjuhës së shenjave dhe përmes mënyrës së gjuhës së shenjave.
2. Ministria mund të vendosë që mësimdhënia nëpërmjet gjuhës së shenjave dhe për përdorimin e gjuhës së shenjave të ofrohet në një lokacion jashtë institucionit të zakonshëm të nxënësve.
3. Nxënësit me të parë të pjesshëm dhe ata të verbër kanë të drejtën që të mësohen për përdorimin e alfabetit Brejll, si dhe për ndihmat teknike të nevojshme. Nxënësit e tillë kanë gjithashtu edhe të drejtën për orientimin e nevojshëm dhe për udhëzime gjatë lëvizjes në shkollë, vajtjen dhe kthimin nga shkolla dhe në shtëpi.
4. Para dhënies së mësimit përmes gjuhës së shenjave, në alfabetin Brejll dhe udhëzimeve për orientim dhe lëvizje ose ndonjë trajnimi sipas këtij neni, ekipi komunal vlerësues i përbërë prej ekspertëve, i themeluar sipas këtij ligji, bën një vlerësim të aftësive të kufizuara të nxënësit, si dhe nevojat e tij për qasje.
Qëllimi i ligjit
1. Qëllimi i këtij ligji është të rregulloj sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional në përputhje me nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, përfshirë ndryshimet ekonomike dhe teknologjike, kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e individëve drejt ekonomisë së tregut, duke shfrytëzuar në mënyrë optimale burimet financiare, njerëzore dhe të infrastrukturës.
2. Rregullon strukturën, organizimin dhe menaxhimin e institucioneve që ofrojnë arsim dhe aftësim profesional.
Parimet e arsimit dhe aftësimit profesional
1. Parimet e arsimit dhe aftësimit profesional (në tekstin e mëtejmë AAP) janë:
1.1. gjithëpërfshirja;
1.2. qasja, transferi dhe progresi;
1.3. mësimi teorik dhe i praktikës profesionale;
1.4. nevojat e tashme dhe të ardhshme të Ekonomisë;
1.5. mbështetja e zhvillimit të karrierës si pjesë e integruar e procesit të të mësuarit gjatë gjithë jetës
Fushëveprimtaritë e arsimit dhe aftësimit profesional
1. Fushëveprimaritë e arsimit dhe aftësimit profesional janë:
1.1. zhvillimi i kompetencave dhe aftësimi për punësim të individëve në përputhje me
profesionin dhe karrierën e tyre sipas kërkesave të tregut të punës;
1.2. krijimi i kulturës së përgjithshme dhe profesionale në pajtim me parimet e arsimimit gjatë
gjithë jetës dhe zhvillimet ekonomike, shkencore dhe teknologjike;
1.3. njohja e kompetencave të individëve bazuar në standardet e profesioneve të nivelit
përkatës.
1. Ndalohet privimi i fëmijës nga e drejta për edukim dhe arsimim.
2. Ministria përkatëse për arsim duhet të sigurojë qasje gjithëpërfshirëse dhe frekuentim të arsimimit falas e cilësor, në bazë të mundësive të barabarta dhe pa diskriminim, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar në gjitha nivelet e arsimit para universitar. Kjo e drejtë i garantohet edhe fëmijës që dëshiron të vazhdojë të arsimohet pas përfundimit të arsimit të detyrueshëm.
3. Në të gjitha nivelet e arsimit para universitar, fëmija mbrohet nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimi, keqpërdorimi, shfrytëzimi, ndëshkimi trupor, neglizhenca, apo ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Fëmija mbrohet nga dhuna e shfaqur qoftë nga personeli arsimor, bashkëmoshatarët dhe nga secili person tjetër, brenda sistemit edukativo arsimor. Në procesin edukativ dhe arsimor, është e ndaluar të promovohet gjuha e urrejtjes, dhuna, jo toleranca, diskriminimi dhe format e tjera që nxisin konflikte ndër njerëzore.
4. Prindi ose kujdestari merr masa të përshtatshme që fëmija të ndjekë arsimin e detyrueshëm ose nivele të tjera të arsimimit, sipas dëshirës së fëmijës, si dhe të garantojë frekuentimin e rregullt të tij dhe pa pengesa.
5. Ministria përkatëse për arsim, si autoritet publik përgjegjës, si dhe njësitë arsimore nga pushteti lokal marrin masa konkrete, me qëllim që: 5.1. të inkurajojë mësim-nxënien gjatë gjithë jetës, të zhvillojë respektin e fëmijës për identitetin kulturor, për gjuhën dhe vlerat kombëtare, respektin për kulturat e ndryshme si dhe respektin për ruajtjen e mjedisit; 5.2. të mundësojnë qasjen e fëmijës në arsimin parashkollor, si dhe arsimin e detyrueshëm falas për të gjithë fëmijët, edhe në rastet kur fëmijët mund të kenë kaluar moshën për arsimin e detyrueshëm, por që kanë qenë në pamundësi për ta ndjekur atë; 5.3. në bashkëpunim me institucionet relevante të zhvillojnë programe edukimi për prindër, përfshirë programe për parandalimin e dhunës në familje; 5.4. të organizojnë plane mësimore të veçanta për fëmijën që nuk arrijnë nivelet e duhura që synon programi mësimor, me qëllim të parandalimit të barrierave për shkollimin e mëtejmë të fëmijës; 5.5. të identifikojnë dhe trajtojnë rastet e fëmijëve në rrezik për ta braktisur shkollën si dhe të ndërmarrin veprime konkrete sipas politikave nacionale për trajtimin e rasteve në nivel të shkollës dhe komunës; 5.6. të organizojnë plane mësimore të veçanta për fëmijë që braktisin shkollën ose që nuk e kanë frekuentuar asnjëherë shkollën apo për fëmijët që kthehen nga qëndrimi jashtë vendit, me qëllim integrimin e tyre në sistemin kombëtar të edukimit; 5.7. të mbikëqyrin të drejtën e fëmijës për t’u çlodhur, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në aktivitete kulturore e artistike; 5.8. të adresojnë parandalimin e përfshirjes të fëmijëve në punë të rënda dhe të rrezikshme, duke e trajtuar këtë tematikë me qasje kurrikulare, ndërkurrikulare dhe ekstrakurrikulare; 5.9. sigurimi i mekanizmave efikasë për parandalim, trajtim brenda shkollës dhe raportim tek autoritetet përgjegjëse të rasteve të dhunës dhe dukurive të tjera negative; 5.10. të zbatojnë sanksione përkatëse ligjore për personelin e institucioneve edukativo- arsimore, në rast kur ushtron, lejon, nxit, toleron ose nuk raporton veprime të dhunshme në institucionet edukativo-arsimore, sipas këtij ligji; 5.11. të sigurojnë mbrojtjen e fëmijës në internet, duke promovuar përdorimin e teknologjisë informative të komunikimit, në mënyrë të dobishme dhe përgjegjshme; 5.12. me anë të vetëdijesimit të adresohet parandalimi i trafikimit të fëmijëve, me qasje proaktive të trajtohet fëmija në rrezik për tu trafikuar; 5.13. në plan-programet mësimore të përfshijë module për mbrojte nga rreziku i abuzimit dhe shfrytëzimit seksual në institucionet e arsimit para universitar dhe arsimit të lartë; 5.14. ministria përkatëse për arsim shkencë dhe teknologji të garantojë vijueshmërinë në institucionet e arsimit fillor dhe të mesëm për fëmijët e familjeve që gjenden në hasmëri.
6. Në rastet kur identifikohen fëmijë që nuk vijojnë arsimin e detyrueshëm, për shkak të mos regjistrimit në zyrat e gjendjes civile ose arsye tё tjera, zyrtari përkatës për mbrojtjen e fëmijës në kuadër të drejtorisë përkatëse në komunë ndërmerr masa të menjëhershme për regjistrimin e fëmijës në shkollë, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Gjatë procesit mësimor e edukativ fëmija trajtohet me dinjitet nga mësuesit dhe personeli, si dhe informohet për të drejtat e tij dhe mjetet e ushtrimit të tyre, sipas këtij ligji.
Aplikuesi është një shtetas Hollandez, i lindur në 1951, dhe aktualisht banon në Leiderdorp, Hollandë.
Më i moshuari nga dy fëmijët e aplikantit, Ruben, i lindur në 1981, është pothuajse plotësisht i shurdhër. Nga 1985 deri në maj 1987 ai shkoi në një shkollë speciale për të shurdhërit në qytetin e Voorburg. Ndërsa prindërit e tij ishin të mendimit se ai nuk bëri përparime në këtë shkollë dhe ata nuk pajtoheshin me metodat e mësimdhënies, ata e dërguan Ruben në një shkollë speciale për dëgjimin e vështirë në qytetin e Rijswijk në maj 1987.
Ankuesi ankohet se djali i tij nuk u lejua të shkollohej në një shkollë të rregullt në qytetin e tij të lindjes. Ai thërret nenin 2 të Protokollit Nr. 1 të Konventës
Aplikanti ankohet sipas nenit 2 të Protokollit Nr. 1 (P1-2) për mos lejimin e dërgimit të djalit të tij me aftësi të kufizuara në një shkollë të rregullt sipas dëshirës së tij.
Në këto rrethana, Komisioni konstatoi se autoritetet vendase kanë respektuar pikëpamjet e aplikantit, si dhe të drejtën e Ruben për të pasur një arsim sa më efektiv të jetë e mundur. Komisioni përfundoi se çështja aktuale nuk tregon ndonjë paraqitje të shkeljes së nenit 2 të Protokollit Nr. 1 (P1-2) të Konventës.
Nga kjo rrjedh se kërkesa është qartësisht e pabazuar në kuptimin e nenit 27 paragrafi. 2 (Art. 27-2) i Konventës.
Për këto arsye, Komisioni, njëzëri, e shpalli të papranueshëm kërkesën.