Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZHQ) në lidhje me të drejtat e njeriut
Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 25 shtator 2015, miratoi Agjendën 2030 e cila përcakton shtatëmbëdhjetë Objektiva për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Agjenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ofron një plan të përbashkët për paqen dhe prosperitetin për njerëzit dhe planetin tonë, për tani dhe në të ardhmen. Në zemër të saj janë 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të cilat janë një thirrje urgjente për veprim për të gjitha vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim për një partneritet global në zbatimin e tyre.
Objektivat kanë synimin kryesor për t’i dhënë fund varfërisë dhe privimeve të tjera, përmes zhvillimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve strategjike që përmirësojnë shëndetin, arsimin, zvogëlojnë pabarazinë dhe nxisin rritjen ekonomike.
Kuvendi i Republikës së Kosovës më 25 janar 2018 miratoi njëzëri rezolutën për OZHQ.
Rreth udhëzuesit
Potenciali për të punuar drejt arritjes së OZHQ-ve dhe të drejtave të njeriut në një mënyrë të ndërsjellë, fuqizon dhe përmbushë një gamë të gjerë të të drejtave të njeriut në përgjithësi. Të drejtat e njeriut mund të ofrojnë udhëzime për zbatimin e Agjendës së vitit 2030, nëse zbatohen në mënyrë adekuate, ndërsa OZHQ-të mund të kontribuojnë ndjeshëm në realizimin e të drejtave të njeriut.
Ky udhëzues synon të tregojë lidhjen thelbësore të të drejtave të njeriut me 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) duke bërë lidhje midis 169 synimeve dhe gamës përkatëse të:
- Instrumenteve ndërkombëtare të zbatueshme drejtpërsëdrejti në vend dhe
- Legjislacionit në fuqi
Udhëzuesi është esencial për:
- Të kuptuar lidhjet ndërmjet 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm me Instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme drejtpërsëdrejti në Kosovë dhe Legjislacionin e zbatuar parësor
- Të kuptuar lidhjen e 169 synimeve të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut .
- Ndihmon në zhvillimin e programeve dhe strategjive nacionale për zbatimin e Agjendës 2030
- Ndihmon në zhvillimin e projekteve dhe adresimin e çështjeve lidhur me OZHQ-të dhe zbatimin e tyre, gjithashtu është efikas edhe sa i përket monitorimit, vlerësimit dhe raportimit në fusha të ngjashme, etj